Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka reaguar pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për bllokimin e institucioneve.
Në një deklarim të publikuar në Facebook, Molliqaj tha se Kurti po e kushtëzon procesin politik me interesat e tij, duke pretenduar se synon shtyrjen e zgjedhjeve deri në fund të vitit.
Ai kritikoi gjithashtu partitë opozitare për pjesëmarrjen në takimet me Kurtin, duke e cilësuar këtë qasje si të gabuar.
Sipas Molliqajt, zgjidhja e vetme në situatën aktuale është organizimi i protestave qytetare, me qëllim që, sipas tij, të kundërshtohet bllokimi i institucioneve dhe të ushtrohet presion për tejkalimin e krizës politike.




