Zyrtarët doganorë të Doganës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë parandaluar një rast të tentim-kontrabandimit të mallrave në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë Prush.
Gjatë kontrollit të automjeteve në hyrje të Republikës së Kosovës, një automjet është përzgjedhur për kontroll doganor. Gjatë intervistimit nga zyrtarët doganorë, drejtuesi i automjetit ka deklaruar se nuk posedonte mallra apo mjete monetare për deklarim.
Megjithatë, gjatë kontrollit të detajuar, të realizuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, janë zbuluar 504 copë Barium Sulfate (Bariumsulfate) të padeklaruara, të fshehura në bagazhin e automjetit.
Me këtë rast, është konstatuar se personi ka tentuar të fusë mallra në territorin doganor të Republikës së Kosovës pa i paraqitur ato për kontroll dhe pa përmbushur detyrimet ligjore të deklarimit, duke kryer kundërvajtje doganore në kundërshtim me dispozitat e Kodit Doganor dhe të Akcizave Nr. 08/L-247, i cili obligon çdo person që fut mallra në territorin doganor të Republikës së Kosovës t’i paraqesë dhe t’i deklarojë ato pranë autoriteteve doganore.
Mallrat janë ndaluar dhe sekuestruar nga Dogana e Kosovës, ndërsa ndaj rastit do të zhvillohen procedurat e mëtejshme administrative dhe kundërvajtëse, në përputhje me legjislacionin doganor në fuqi.




