Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, ka kritikuar opozitën për qasjen e saj ndaj krizës institucionale dhe zhvillimeve të fundit në Kuvend.
Kusari ka thënë se veprimet politike duhet të jenë në përputhje me qëllimet dhe kauzat e subjekteve, duke e akuzuar opozitën për mungesë koherence në veprimet e saj.
Ajo ka kritikuar refuzimin e disa partive opozitare për takimet e ftuara nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, ndërsa ka dënuar edhe incidentin e sotëm, ku një deputete hodhi vezë në drejtim të Kurtit.
Sipas Kusarit, veprime të tilla e dëmtojnë debatin politik dhe nuk ndihmojnë në zgjidhjen e krizës institucionale.
Ajo ka bërë thirrje për dialog dhe kompromis ndërmjet liderëve politikë, duke theksuar se funksionalizimi i institucioneve mund të arrihet përmes pjesëmarrjes dhe votimit në Kuvend.
“Dialogu dhe takimet mes liderëve politikë mbeten mekanizmi i vetëm serioz për çbllokimin e kësaj situate”, ka deklaruar Kusari.




