Hulumtuesi i KDI-së, Eugen Cakolli, ka thënë se Albulena Haxhiu mund të vazhdojë detyrën e ushtrueses së Presidentes edhe pasi ka marrë mandatin e deputetes.
Sipas Cakollit, mandati i deputetit merret me certifikimin e rezultateve nga KQZ-ja, ndërsa Rregullorja e Kuvendit parasheh që kryesia e legjislaturës së kaluar të vazhdojë funksionin deri në përfundimin e seancës konstituive.
Ai vlerëson se seanca konstituive përfundon vetëm pas zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Për këtë arsye, sipas tij, Haxhiu mund ta ushtrojë detyrën e Presidentes deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit.
Cakolli ka kërkuar gjithashtu sqarim nga Gjykata Kushtetuese për pasojat e moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit 30-ditor dhe për çështjen e ministrave që kanë marrë mandat deputeti.
Ai ka kritikuar edhe mos-thirrjen e seancës konstituive, duke e cilësuar situatën si shqetësuese dhe duke kërkuar që çështja të trajtohet nga Gjykata Kushtetuese./EO/




