Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka kritikuar situatën e krijuar rreth konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar bllokadën institucionale si të panevojshme dhe të dëmshme për vendin.
Zemaj tha se moskonstituimi i Kuvendit po rrit tensionet politike dhe po thellon polarizimin në shoqëri.
“Bllokada institucionale dhe ajo e konstituimit të Kuvendit është e paarsyeshme dhe e panevojshme. Ajo ngrit tensione, polarizon shoqërinë dhe e dëmton demokracinë në Republikën e Kosovës”, deklaroi Zemaj.
Ai bëri të ditur se LDK-ja do ta prezantojë qëndrimin e saj sapo grupi parlamentar të marrë një vendim.
Ndërkohë, Zemaj i ka bërë thirrje kryesuesit të seancës konstituive, Avni Deharit, që të thërrasë seancën, me qëllim që të krijohen kushtet për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve.




