Detaje të reja janë bërë të ditura për ngjarjen e rëndë në Kërvasari të Malishevës, ku 24-vjeçarja J.B humbi jetën pasi u plagos me armë zjarri.
Sipas informacioneve fillestare, arma që dyshohet se është përdorur në rast i përkiste babait të bashkëshortit të saj. Policia e ka gjetur dhe sekuestruar armën në vendngjarje, ndërsa familjari ka deklaruar se e posedonte me leje.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 23 gushtit, kur çifti u gjet i plagosur në dhomën e gjumit. Të dy u dërguan në QKUK, por 24-vjeçarja ndërroi jetë rreth orës 01:10.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë”. Hetimet po vazhdojnë për të zbardhur rrethanat dhe dinamikën e plotë të ngjarjes.




