Pas marrjes së shtetësisë së Kosovës, Joe Dioguardi ka deklaruar se sfida e radhës është konsolidimi i një kombi të fortë, duke shprehur shqetësim për zhvillimet aktuale politike në vend.
“Ne nuk kemi nevojë vetëm për një shtet. Ne kemi nevojë për një komb dhe ky komb tani po sulmohet nga armiqtë e popullit shqiptar”, ka thënë Dioguardi.
Ai ka paralajmëruar se situata politike dhe institucionale mund të krijojë pikëpyetje rreth funksionimit të shtetit të Kosovës.
Ndërkaq, Shirley Cloyes Dioguardi e ka cilësuar marrjen e shtetësisë si një moment shumë të rëndësishëm, duke thënë se ajo dhe Joe tashmë janë “qytetarë të vërtetë të Kosovës”.
Ajo ka kujtuar gjithashtu angazhimin e tyre ndër vite në mbështetje të Kosovës dhe kundërshtimin ndaj regjimit të Slobodan Millosheviqit, deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.




