Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e profesorit Eqrem Kryeziu, duke e cilësuar atë si një intelektual të shquar dhe figurë të rëndësishme të LDK-së dhe Kosovës.
Abdixhiku ka thënë se Kryeziu ishte pjesë e brezit themeltar të LDK-së dhe bashkëpunëtor i Presidentit Ibrahim Rugova. Ai për më shumë se dy dekada udhëhoqi Degën e LDK-së në Prizren, ndërsa shërbeu edhe si deputet, nënkryetar i parë i LDK-së dhe kryetar i Komunës së Prizrenit.
“LDK-së i dha vite të tëra angazhimi, besnikërie dhe shërbimi; Kosovës i shërbeu në arsim, në politikë dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai u ka shprehur ngushëllime familjes, miqve dhe bashkëpunëtorëve të Kryeziut.




