Prishtinë, 25 gusht 2026 – Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se pret që së shpejti të arrihet një marrëveshje me LDK-në për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Nagavci tha se takimi i fundit mes përfaqësuesve të LVV-së dhe LDK-së ishte konstruktiv, ndërsa sipas saj palët kanë diskutuar kriteret dhe parimet që duhet t’i përmbushë kandidati për president, por jo një emër konkret.
Ajo u shpreh optimiste se procesi mund të përmbyllet me sukses dhe se institucionet e vendit mund të marrin mandat të plotë.
“Pres që sa më parë të arrijmë pajtueshmëri me LDK-në, të konstituojmë të gjitha institucionet me mandat të plotë dhe të vazhdojë puna”, tha Nagavci.
Sipas saj, LVV-ja nuk dëshiron të propozojë publikisht një emër për president pa arritur fillimisht një dakordim me partitë e tjera.
Nagavci kujtoi se LVV-ja në të kaluarën kishte propozuar disa emra për këtë post, përfshirë Feride Rushitin, Glauk Konjufcën dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçakun, por tha se në situatën aktuale partia po pret një marrëveshje paraprake.
Ajo bëri të ditur gjithashtu se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po vazhdon komunikimin me partitë politike, pavarësisht refuzimit të PDK-së dhe Aleancës për të marrë pjesë në takime.
Sa i përket deklaratës së kryetarit të Aleancës, Ardian Gjini, se takimet do t’i pranonte vetëm në prani të kamerave, Nagavci e cilësoi këtë si një qëndrim jo serioz, duke thënë se çështje të tilla duhet të diskutohen pa praninë e kamerave.
Afati për ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, përfundon më 4 tetor. Ndërkohë, Kuvendi i dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit ende nuk është konstituuar, ndërsa partitë politike vazhdojnë përpjekjet për të tejkaluar ngërçin institucional.




