Prokurori Avni Namani ka kërkuar që ministri në detyrë, Xhelal Sveçla, të shpallet fajtor dhe të dënohet për përdorimin e gazit lotsjellës gjatë një seance të Kuvendit të Kosovës në vitin 2018.
Në fjalën përfundimtare, Namani deklaroi se sipas ekspertizave, bombola e gazit lotsjellës konsiderohet armë. Ai tha se Prokuroria ka hequr dorë nga ndjekja për veprën penale të pengimit të personit zyrtar, pasi kjo vepër është parashkruar.
Sipas Prokurorisë, Sveçla kishte aktivizuar dhe hedhur bombolat e gazit në sallën e Kuvendit, duke shkaktuar përhapjen e gazit dhe ndërprerjen e seancës.
Prokurori kërkoi që Sveçla të dënohet për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, e cila, sipas Kodit Penal, dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.
Në këtë rast akuzohen edhe deputetët Fitore Pacolli-Dalipi, Drita Millaku dhe Salih Zyba, ndërsa procedura ndaj Sveçlës është veçuar.
Sipas aktakuzës, ngjarja kishte ndodhur më 21 mars 2018, kur në Kuvend u hodh gaz lotsjellës gjatë seancës plenare, duke detyruar deputetët të largoheshin nga salla dhe duke pamundësuar vazhdimin e seancës.
Të akuzuarit, në seancën fillestare, ishin deklaruar të pafajshëm.




