Qeveria e Kosovës ka kërkuar forcimin e bashkëpunimit me komunat për mbrojtjen dhe zbatimin e të drejtave të komuniteteve jo-shumicë.
Në një takim me përfaqësuesit e Zyrave Komunale për Komunitete dhe Kthim, kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se të drejtat e garantuara me ligj duhet të zbatohen edhe në praktikë.
Kurti kërkoi që zyrat komunale të kenë rol më aktiv në identifikimin e problemeve dhe përcjelljen e tyre te institucionet përgjegjëse. Ai përmendi arsimin, punësimin, shëndetësinë, shërbimet publike, banimin dhe të drejtat gjuhësore si fusha ku nevojitet më shumë koordinim.
Zëvendëskryeministri Fikrim Damka tha se duhet të përmirësohet komunikimi mes institucioneve qendrore dhe lokale, ndërsa komunat duhet të ndajnë praktikat e mira dhe të punojnë më shumë në funksion të nevojave të komuniteteve.
Sipas tij, qytetarët duhet të kenë qasje të barabartë në të drejta dhe shërbime publike, pavarësisht komunës ku jetojnë./EO/




