Dogana e Kosovës ka zbuluar një rast të deklarimit të pasaktë të mallrave gjatë procedurës së zhdoganimit në Aeroport.
Gjatë kontrollit, zyrtarët doganorë dyshuan në përshkrimin e mallit, i cili ishte deklaruar si “Polycarboxylate Superplasticizer”. Kontrolli fizik konstatoi se në fakt bëhej fjalë për produkte medicinale të destinuara për dobësim.
Sipas Doganës, këto produkte nuk janë të aprovuara për qarkullim në treg dhe për importimin e tyre kërkohet leje nga Agjencia e Kosovës për Produkte Medicinale.
Vlera e mallit është 1,775.90 euro, pa përfshirë detyrimet dhe taksat.
Dogana ka vlerësuar se pala ka tentuar të shmangë procedurat doganore përmes deklarimit të të dhënave të pasakta. Rasti është trajtuar si kundërvajtje doganore dhe janë ndërmarrë veprimet procedurale sipas legjislacionit në fuqi.




