Shqipëria do të luajë në datën 11 tetor një nga ndeshjet më të rëndësishme jo vetëm për kualifikueset e Botërorit, por gjithashtu edhe për historinë, duke ditur rivalitetin e kuqezinjve me Serbinë, historikun mes tyre dhe sigurisht, problemet politike që pavarësisht se në futboll nuk kanë vend, në tribunat e tifozerisë serbe kanë qenë gjithmonë prezentë.
Kjo ndeshje e shumëpritur, pritet të zhvillohet në datën 11 tetor në Beograd dhe numri 11, nuk vetëm data në të cilën luhet ndeshja, por lidhet edhe me shumë “11-she” të tjera.
11 VITE NGA DRONI- Në vitin 2014, Shqipëria luante një ndeshje të madhe në Serbi, teksa ëndrra për një vend në Europianin e Francës sapo kishte nisur.
Kuqezinjtë përballeshin jo vetëm me skuadrën serbe, por me terrorin serb, me tifozerinë e cila në çdo moment bënte thirrje për vdekjen e shqiptarëve, apo edhe me vendimet për të mos lejuar jo vetëm tifozët shqiptarë, por as flamurin kuqezi në stadium.
Gjithçka u duk se po shkonte mirë, kur në qiellin e Beogradit u shfaq flamuri “Autochthonous”, me autor Ballist Morinën, “incident” ky që jo vetëm që i solli Shqipërisë 3 pikët në tavolinë, por gjithashtu dënoi edhe Serbinë me zbritje pikësh, duke e bërë kualifikimin e kuqezinjve edhe më të lehtë.
11 PIKË NË SERBI- Kuqezinjtë kanë objektiv vendin e dytë në grup, pasi Anglia praktikisht e ka blinduar vendin e parë, duke treguar forcën ndaj çdo rivali.
Me një fitore në Serbi, kuqezinjtë do të arrinin në kuotën e 11 pikëve dhe me shumë gjasa, do të blindojnë vendin e dytë në grup.
11 LUANË NË FUSHË- Në datën 11 tetor, në fushë nuk duhet të jenë vetëm 11 futbollistë por 11 luanë, të cilët duhet të dinë vlerën e fitores, vlerën e 3 pikëshit e për më tepër, duhet të dinë vlerën e fanellës kuqezi dhe faktin se një fitore, i afron jashtëzakonisht shumë me Botërorin.
Nëse në fushë janë 11 luanë të cilët japin shpirtin deri në vërshëllimën e fundit, fitorja mund të arrihet pa vështirësi ashtu siç merrej ndaj Portugalisë në kualifikueset e Europianit.




