Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës, së bashku me disa asamblistë të Prishtinës, kanë zhvilluar sërish një aksion para Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar konstituimin e Kuvendit dhe funksionalizimin e institucioneve.
Asamblisti i Prishtinës, Yll Muriqi, deklaroi se vendi ndodhet në një bllokadë institucionale dhe kritikoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për situatën politike.
Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, tha se Kosova po përballet me krizë kushtetuese, politike dhe ekonomike. Ai kërkoi që partitë të rikthehen në Kuvend dhe të punojnë për funksionalizimin e institucioneve.
Ndërkaq, deputetja e Aleancës, Time Kadriaj, tha se aksionet po zhvillohen për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik dhe për të kërkuar zhbllokimin e situatës institucionale.
Kadriaj përmendi edhe probleme në arsim dhe shëndetësi, duke argumentuar se, sipas saj, vonesat institucionale po ndikojnë në shërbimet ndaj qytetarëve.
PDK dhe Aleanca kanë përsëritur thirrjen për konstituimin e Kuvendit dhe rikthimin e funksionimit normal të institucioneve të vendit./EO/




