Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka folur për zhvillimet politike pas zgjedhjeve dhe për përpjekjet e partive për formimin e institucioneve të reja.
Në një intervistë në Kanal 10, Abdixhiku tha se LDK-ja kishte përcaktuar qëndrimin e saj për angazhimin në krijimin e institucioneve dhe se ky vendim ishte marrë nga organet e partisë.
Ai bëri të ditur se LDK-ja kishte zhvilluar takime edhe me PDK-në dhe Aleancën, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për situatën politike. Sipas tij, gjatë këtyre kontakteve është kuptuar se PDK-ja nuk do të bëhej pjesë e procesit, ndërsa me Aleancën janë diskutuar kërkesat e saj.
Abdixhiku theksoi se LDK-ja e sheh veten si një parti institucionaliste dhe se në takimet politike ka kërkuar ruajtjen e një balance demokratike.
Duke iu referuar Vetëvendosjes, ai tha se kjo parti ka ndryshuar qasje, duke kaluar nga një proces i udhëhequr prej saj drejt një formule konsensuale.
“Është hera e parë në dy vitet e fundit që Lëvizja Vetëvendosje ka lëvizur nga një proces i saj në një proces konsensual”, tha Abdixhiku.




