Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka nisur hetime për një incident të ndodhur në parkingun e një qendre tregtare, ku ishte i përfshirë një kapiten i Policisë së Kosovës, jashtë detyrës zyrtare, dhe dy qytetarë, njëri prej tyre i mitur.
Sipas IPK-së, incidenti dyshohet se ka nisur pas një mosmarrëveshjeje për parkingun. Pas shoqërimit në Stacionin Policor në Graçanicë, njëri prej qytetarëve ka pretenduar se ndaj tij është përdorur forcë nga një zyrtar policor.
Polici i dyshuar për keqtrajtim është suspenduar me rekomandim të IPK-së, ndërsa rasti po hetohet për veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.
Ndërkohë, qytetarët e përfshirë po hetohen nga Policia e Kosovës për dyshimin e veprës penale të sulmit, ndërsa ndaj kapitenit të përfshirë në incident IPK-ja po zhvillon hetime nën dyshimin për kanosje.
Hetimet janë në fazën fillestare dhe po zhvillohen në koordinim me prokurorin kompetent, duke respektuar parimin e prezumimit të pafajësisë.




