Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica Xhelili, ka thënë se situata rreth caktimit të seancës për zgjedhjen e presidentit të Kosovës është komplikuar.
Ajo ka deklaruar se fillimisht ishte pranuar një afat fleksibil për shkak të paqartësive të krijuara nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, por sipas saj, tashmë është tejkaluar edhe ky afat.
Kica Xhelili ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke vlerësuar se caktimi i një date të re përtej afatit të përcaktuar më herët tregon mungesë serioziteti për procesin e zgjedhjes së presidentit.
Ajo ka shtuar se, nga këndvështrimi i saj profesional si juriste, nuk e sheh të arsyeshme të marrë pjesë në një seancë që, sipas saj, ka kaluar afatet kushtetuese.
Kica Xhelili ka bërë të ditur se do ta dëgjojë edhe qëndrimin e grupit parlamentar të LDK-së për këtë çështje./EO/




