Në Zatriq të Rahovecit është përuruar Parku i Erës, me kapacitet të instaluar prej 70 megavatësh, një nga projektet e rëndësishme në sektorin e energjisë së ripërtëritshme në Kosovë.
Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë kryeministri në detyrë Albin Kurti, ministrja në detyrë e Ekonomisë Artane Rizvanolli, kryetari i Rahovecit Smajl Latifi dhe përfaqësues të institucioneve e kompanive të përfshira në projekt.
Sipas Rizvanollit, parku pritet të prodhojë rreth 185 GWh energji të pastër në vit, që mund të mbulojë konsumin vjetor të rreth 45 mijë amvisërive.
Ajo theksoi se prodhimi i energjisë nga era gjatë muajve të ftohtë do të ndihmojë në uljen e nevojës për import të energjisë elektrike.
Projekti është zhvilluar nga EV Wind Park SH.P.K., në partneritet me Çalık Renewables dhe Eurokos Holding. Financimi është siguruar nga banka gjermane Helaba, ndërsa projekti është garantuar nga agjencia zvicerane SERV./EO/




