Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë thirrje për vaksinimin e fëmijëve kundër fruthit, duke e cilësuar atë si masën më të rëndësishme për mbrojtjen nga sëmundja.
Sipas të dhënave të IKShPK-së, nga 16 prilli deri më 13 shtator janë konfirmuar 164 raste me fruth, ndërsa vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar gjashtë raste të reja.
Mbi 95 për qind e rasteve të konfirmuara janë persona të pavaksinuar me vaksinën MMR.
Instituti ka njoftuar se krahas vaksinimit të rregullt është intensifikuar edhe vaksinimi i vonuar për fëmijët që nuk janë vaksinuar në kohën e paraparë. Gjatë këtij viti, përmes këtij programi janë vaksinuar mbi 2,794 fëmijë të moshës 2 deri në 5 vjeç.
IKShPK ka vlerësuar angazhimin e prindërve dhe profesionistëve shëndetësorë, duke u bërë thirrje familjeve që t’i vaksinojnë fëmijët sipas kalendarit të imunizimit.




