Kolegji i Gjykatës Supreme ka refuzuar si të pathemeltë ankesën e paraqitur nga Lëvizja Vetëvendosje kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) të datës 17 shtator.
PZAP më herët kishte hedhur poshtë si të pabazuar ankesën e VV-së ndaj Listës Serbe, lidhur me pretendimet për shkelje të Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës për zgjedhjet e 12 tetorit.
“Kolegji i Gjykatës Supreme, pasi e vlerësoi ligjshmërinë e vendimit të kontestuar dhe pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, gjeti se: Ankesa është e pathemeltë”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
VV në ankesën e dorëzuar më 15 shtator në PZAP kishte theksuar se “subjekti politik Srpska Lista gjatë tubimit të hapjes së fushatës zgjedhore ka ekspozuar parullën ‘svi za brata milana’, duke shprehur kështu përkrahjen për Milan Radojiçiq, i cili është shpallur në kërkim nga institucionet e Republikës së Kosovës si organizator i sulmit terrorist në Banjska të vitit 2023”.





