Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka publikuar një videoadresim me rastin e 26-vjetorit të themelimit të PDK-së, ku ka shprehur mirënjohje, krenari dhe besim të plotë në të ardhmen e partisë dhe të Kosovës.
“Të dashur anëtarë, aktivistë dhe mbështetës të Partisë Demokratike të Kosovës, sot, në 26-vjetorin e themelimit të PDK-së, partisë sonë, partisë suaj, po ju drejtohem me mirënjohje të thellë dhe me shumë krenari. Urime të gjithëve!”, tha Krasniqi në fillim të mesazhit të tij.
Ai theksoi se PDK-ja është partia që lindi nga idealet më të larta të lirisë dhe u bë shtylla kryesore e shtetndërtimit të Kosovës, duke e cilësuar këtë përvjetor si ditë reflektimi dhe krenarie për rrugën dhe kontributin e gjeneratave që e ngritën partinë në themelet e shtetit të lirë.
Krasniqi përmendi edhe themeluesit e partisë që aktualisht ndodhen në Hagë, duke shprehur bindjen se shumë shpejt do të rikthehen në Kosovë.
“Në këto 26 vite, PDK ka dëshmuar se është më shumë se një parti politike. Është një ide për shtet, për dinjitet qytetar dhe për një të ardhme më të mirë për Kosovën. Ndjehuni krenarë, sepse gjithmonë e kemi vendosur Kosovën të parën. Ky ka qenë dhe mbetet misioni ynë i përjetshëm. Urime 26-vjetori i Partisë Demokratike të Kosovës!” tha tutje Krasniqi.




