Policia e Kosovës ka njoftuar se sot përmes pikës kufitare Vërmicë, është bërë ekstradimi i dy të dyshuarve shtetas të Kosovës të cilët ishin arrestuar nga autoritete shqiptare, pasi që të njëjtit kërkoheshin me urdhër arrest ndërkombëtar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës për vepra të ndryshme penale si: “Grabitje“ dhe “Vjedhje grabitqare“.
“Ekstradimi u realizua falë bashkëpunimit mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Republikës së Shqipërisë. Të dyshuarit pas ekstradimit të tyre janë dërguar në njësitet përkatëse të policisë për vazhdim me procedurat tjera ligjore”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës thotë se do vazhdojë me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale që ndërlidhen me hetimin e kryesve të veprave penale, si dhe aktivitete tjera në gjurmimin, kapjen-arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit.




