Gjatë takimit, kryetari Basha e uroi ambasadorin Borut Blaj për marrjen e detyrës së re dhe i shprehu mirëseardhje në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e marrëdhënieve të mira bilaterale dhe bashkëpunimit mes dy shteteve. Ai falënderoi gjithashtu shtetin dhe popullin slloven për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.
Sipas njoftimit, kryetari i Kuvendit e informoi ambasadorin për procesin e konstituimit të Kuvendit dhe theksoi nevojën e funksionalizimit të plotë të institucioneve. Ai kërkoi mbështetje nga Sllovenia për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe marrjen e statusit të kandidatit për Bashkimin Evropian, duke potencuar domosdoshmërinë e largimit të masave që pengojnë avancimin e vendit në arenën ndërkombëtare.
“Basha dhe Blaj u pajtuan për rritjen e bashkëpunimit ndërparlamentar, me fokus në integrimin evropian dhe zhvillimin ekonomik”, thuhet në njoftim.
Nga ana e tij, ambasadori Blaj rikonfirmoi mbështetjen e plotë të Sllovenisë për Kosovën, si dhe përkushtimin e vendit të tij për të ndihmuar në procesin e integrimeve evropiane dhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal.




