Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka shprehur mbështetje për Marshin qytetar “Drejtësi, jo politikë”, që organizohet më 17 shkurt në Prishtinë. Ky aktivitet mbahet në mbrojtje të drejtësisë së paanshme dhe të vlerave të luftës çlirimtare.
Përfaqësues të platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, u takuan me Idrizin dhe kabinetin e tij, duke falënderuar përkrahjen e ofruar nga Komuna e Vushtrrisë. Hoxha theksoi se mbështetja nga institucionet lokale tregon se kjo kauzë është mbi politikën ditore, ndërsa Tasholli shtoi se marshimi është një thirrje për respektimin e parimeve të drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor.
Kryetari Idrizi deklaroi se qëndron në krah të kësaj nisme, duke theksuar se drejtësia duhet të jetë e drejtë dhe e barabartë për të gjithë qytetarët.
Platforma “Liria ka Emër” planifikon të vazhdojë takimet në komunat e Kosovës për të mobilizuar qytetarët për pjesëmarrje në marshin e 17 shkurtit.




