Koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve, “Demokracia në Veprim” (DnV), ka kundërshtuar vendimin e Presidentes për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e emërimit të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Sipas DnV-së, ky veprim po shkakton vonesa në kompletimin e institucionit në një moment kur funksionaliteti i tij është thelbësor për integritetin e proceseve zgjedhore. Ata theksojnë se përbërja e KQZ-së është e përcaktuar qartë me Kushtetutë dhe ligj, përmes një modeli strikt të përfaqësimit që nuk varet nga rezultatet zgjedhore.
DnV vlerëson se referimi i çështjes në Kushtetuese nuk sjell qartësi shtesë, por vetëm zvarritje të procesit. Sipas tyre, mosplotësimi i përbërjes së plotë prej 11 anëtarësh ndikon drejtpërdrejt në vendimmarrjen dhe funksionimin e institucionit.
Koalicioni u bëri thirrje institucioneve që emërimi i anëtarëve të përfundojë sa më shpejt, në përputhje me ligjin, për të ruajtur besueshmërinë dhe stabilitetin e KQZ-së.




