Në Palermo të Italisë, Komandanti i Qendrës për Studime Universitare (QSU), Major Mimoza Budeci, ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me përfaqësues të Universitetit Norwich nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Universiteti Norwich, një nga institucionet më të vjetra akademiko-ushtarake në SHBA, trajnon liderët e ardhshëm ushtarakë dhe renditet ndër tre universitetet më të mira në vend në fushat e teknologjisë informative, sigurisë kibernetike dhe luftës elektronike.
Sipas marrëveshjes, kadetët e QSU-së do të mund të ndjekin studimet semestrale në Universitetin Norwich, ndërsa kadetët e Norwich do të kenë mundësi të kryejnë semestrat e tyre ushtarakë në QSU, duke nisur nga semestri i ardhshëm akademik.
QSU ka zhvilluar dhjetëra programe shkëmbimi me shtete dhe akademi të ndryshme, përfshirë SHBA, Kanada, Gjermani, Turqi, Itali, Kroaci, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut, duke e konsoliduar rolin e saj si akademi ndërkombëtare ushtarake për formimin e liderëve të së ardhmes.




