Kriza aktuale e furnizimit me naftë dhe gaz, e shkaktuar nga bllokimi i Ngushticës së Hormuzit, po konsiderohet më serioze se episodet e viteve 1973, 1979 dhe 2022. Këtë e ka bërë të ditur Fatih Birol, drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, duke theksuar se bota nuk ka përjetuar ndonjëherë një ndërprerje të furnizimit energjetik me këtë përmasa.
Ai shtoi se vendet europiane, Japonia dhe Australia janë më të ekspozuara, ndërsa më të prekura mund të jenë vendet në zhvillim, ku kriza mund të rrisë ndjeshëm çmimet e energjisë dhe ushqimeve, duke përshpejtuar inflacionin.
Vendet anëtare të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë kanë vendosur të lirojnë pjesë të rezervave strategjike për të stabilizuar tregjet. Ndërkohë, tensionet politike vazhdojnë të ndikojnë çmimet globale të naftës, të cilat të martën u rritën për rreth 1.4%, duke kaluar mbi 111 dollarë për fuçi.
Situata u rëndua edhe pas kërcënimeve të Iranit për të mbyllur ngushticën tjetër strategjike, Bab El Mandeb. Presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur një ultimatum për Iranin, duke kërkuar rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, përndryshe ka paralajmëruar sulme ndaj infrastrukturës kyçe të vendit.




