Departamenti i Shtetit i SHBA-së ka bërë të ditur se ka thirrur në takim ambasadorin e Irak, për të shprehur shqetësimin dhe dënimin ndaj sulmeve të fundit që, sipas Uashingtonit, janë kryer nga grupe të armatosura të mbështetura nga Iran kundër interesave amerikane në Irak.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott, tha se Shtetet e Bashkuara “nuk do të tolerojnë sulme ndaj interesave të tyre” dhe kërkojnë që qeveria irakiane të ndërmarrë masa të menjëhershme për shpërbërjen e milicive të lidhura me Iranin.
Sipas deklaratës, zëvendëssekretari i shtetit Christopher Landau e ka takuar ambasadorin irakian, Nazar Al-Khirullah, duke shprehur dënimin e fortë për sulmet, përfshirë një incident të raportuar më 8 prill në Baghdad ndaj diplomatëve amerikanë.
Uashingtoni ka theksuar gjithashtu se disa struktura të lidhura me qeverinë irakiane dyshohet se ofrojnë mbështetje politike, financiare dhe operacionale për këto grupe, gjë që sipas tij po dëmton marrëdhëniet SHBA–Irak.
Ndërkohë, grupet e armatosura pro-iraniane kanë njoftuar pezullim të përkohshëm të sulmeve për dy javë, pas shpalljes së armëpushimeve të mëparshme në rajon.




