Policia italiane ka arrestuar një 25-vjeçar shqiptar, i dyshuar për trafik droge, gjatë një operacioni të zhvilluar në komunën e Ardeas.
Sipas autoriteteve, i riu u kap në flagrancë teksa po i shiste një dozë kokaine një 58-vjeçari nga Roma, i cili kishte shkuar në zonë për të kryer blerjen.
Ndërhyrja e karabinierëve u bë menjëherë pas transaksionit, duke çuar në ndalimin e të dy personave dhe sekuestrimin e lëndës narkotike. Blerësi u gjobit për përdorim personal të drogës.
Gjatë kontrollit të mëtejshëm, policia gjeti doza të tjera kokaine dhe kanabisi, si dhe një peshore precize që dyshohet se përdorej për ndarjen dhe paketimin e dozave.
I dyshuari u shoqërua në stacionin e karabinierëve në Anzio, ku u mbajt në pritje të seancës gjyqësore. Më pas, autoritetet gjyqësore konfirmuan arrestimin dhe urdhëruan edhe dëbimin e tij nga Italia.




