Kryetarja e Preshevë, Ardita Sinani, ka ngritur shqetësime serioze për përkeqësimin e situatës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës, gjatë një samiti në Tiranë.
Ajo deklaroi se Serbia po përdor “metoda moderne të spastrimit etnik në heshtje”, duke përmendur pasivizimin e adresave, presionin ekonomik dhe shërbimin e detyrueshëm ushtarak si faktorë që po nxisin shpërnguljen e shqiptarëve nga Presheva, Bujanoc dhe Medvegjë.
Sinani theksoi se diskriminimi shtrihet edhe në aspektin ekonomik, me mungesë investimesh dhe pengesa për bizneset lokale, ndërsa vetëm një pjesë e vogël e projekteve të propozuara nga komuna janë financuar.
Ajo vlerësoi mbështetjen nga Kosova dhe Shqipëria për ndërkombëtarizimin e çështjes, por kërkoi më shumë koordinim dhe hapa konkretë për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në jug të Serbisë.
Sipas saj, pavarësisht marrëveshjeve të arritura ndër vite, ato nuk janë zbatuar nga Beogradi, ndërsa situata e shqiptarëve në Luginë mbetet e rënduar.




