Ministri i Jashtëm i Belgjikës, Maxime Prévot, ka përmbledhur vizitën e tij të fundit në Kosovë përmes një postimi në rrjetin social X, duke theksuar përkushtimin e vendit të tij ndaj Kosovës dhe procesit të saj europian.
Ai kujtoi se vizita e mëparshme kishte ndodhur në kohën kur shërbente si kryetar i Namurit, ndërsa këtë herë u rikthye në cilësinë e kryediplomatit belg. Prévot e cilësoi rikthimin si një kënaqësi të veçantë.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, ai zhvilloi takime me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, kryeministrin Albin Kurti dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca. Ai i përshkroi bisedimet si të frytshme dhe në funksion të forcimit të bashkëpunimit dypalësh.
Prévot theksoi rolin e Belgjikës në sigurinë e Kosovës përmes pjesëmarrjes në KFOR, të cilën edhe e vizitoi gjatë qëndrimit të tij, duke rikonfirmuar mbështetjen e vazhdueshme.
Në fokus ishte edhe bashkëpunimi në fusha të ndryshme, përfshirë policinë, migracionin dhe kapacitetet korrektuese. Ai përmendi interesimin e Belgjikës për përdorimin e institucioneve korrektuese në Kosovë, pas marrëveshjes që vendi ka arritur më parë me Danimarkën.
Sa i përket situatës së brendshme politike, kryediplomati belg bëri thirrje për zgjidhjen e bllokadave institucionale dhe stabilizimin e situatës politike, me theks të veçantë në uljen e tensioneve në veri të vendit.
Ai ritheksoi se rruga europiane e Kosovës kërkon progres të besueshëm dhe mbështetje të vazhdueshme nga Bashkimi Europian, duke shtuar se Belgjika do të jetë një avokate e fortë e këtij procesi.
Megjithatë, Prévot nënvizoi se avancimi drejt BE-së duhet të shoqërohet me riangazhim në dialogun me Serbia dhe zbatim konkret të marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër, duke e cilësuar këtë si thelbësore për stabilitetin rajonal.
Në përfundim, ai theksoi se Belgjika do të mbetet një mbështetëse e palëkundur e perspektivës europiane të Kosovës.




