Delegacioni i Doganës së Kosovës ka marrë pjesë në konferencën rajonale evropiane të Organizatës Botërore të Doganave, e mbajtur më 16 dhe 17 prill në Bruksel, ku u diskutuan zhvillimet dhe sfidat në fushën doganore.
Në këtë takim, ku morën pjesë përfaqësues nga shumë vende të Evropës, theksi u vendos te forcimi i bashkëpunimit ndërmjet administratave doganore dhe përshtatja ndaj ndryshimeve në tregtinë globale.
Gjatë punimeve u diskutua për përmirësimin e qeverisjes, rritjen e efikasitetit dhe avancimin e kapaciteteve institucionale.
Po ashtu, u theksua rëndësia e shkëmbimit të informacionit dhe ndërtimit të sistemeve moderne që i përgjigjen kërkesave të kohës.
Përfaqësuesit e Kosovës ritheksuan angazhimin për të qenë pjesë aktive e iniciativave rajonale, duke u fokusuar në zhvillimin e mëtejmë të kapaciteteve dhe përdorimin e inovacionit për të ofruar shërbime më efikase në sektorin doganor.





