Ndarja nga jeta e profesorit, mjekut dhe ish-politikanit të njohur kosovar, Alush Gashi, ka nxitur reagime dhe mesazhe ngushëllimi nga liderë institucionalë e politikë në vend.
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se me pikëllim mori lajmin për vdekjen e Prof. Dr. Alush Gashit, të cilin e vlerësoi për kontributin e tij në arsim, shëndetësi dhe në proceset shtetformuese të Kosovës.
Ajo theksoi se Gashi shërbeu si profesor universitar, specialist i kirurgjisë së përgjithshme, ish-dekan i Fakultetit të Mjekësisë dhe deputet i Kuvendit të Kosovës, duke qenë pjesë e proceseve që çuan vendin drejt lirisë dhe shtetësisë.
Kandidatja për presidente nga LDK-ja, Vjosa Osmani, u shpreh se Kosova humbi një njeri të dijes, urtësisë dhe përbashkimit në një kohë kur, sipas saj, shembuj të tillë i duhen më shumë vendit.
Ajo kujtoi angazhimin e Gashit në jetën akademike dhe politike, duke theksuar rolin e tij në promovimin e çështjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Edhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, shprehu pikëllimin për vdekjen e Gashit, duke e cilësuar atë si një nga figurat e njohura të jetës publike, akademike dhe politike në Kosovë, me kontribut të rëndësishëm në shëndetësi, arsim dhe ndërtimin e institucioneve.
Ndërkaq, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se me vdekjen e Gashit ka humbur një mik të madh, mentor dhe këshilltar të afërt politik.
Abdixhiku theksoi se tek ai gjithmonë gjente maturi, qetësi dhe një fjalë të peshuar në momentet më të vështira, duke shtuar se mosarritja për ta përshëndetur për herë të fundit do t’i mbetet peng.




