Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka zhvilluar një takim me nënkryetaren e dytë të Lëvizjes Vetëvendosje, Mrika Limani Myrtaj, ku është diskutuar për procesin zgjedhor dhe zhvillimet politike në vend.
Hargreaves bëri të ditur se gjatë takimit është theksuar rëndësia e një fushate zgjedhore të qetë dhe me respekt ndërmjet subjekteve politike, duke kundërshtuar gjuhën e urrejtjes, sulmet mizogjene dhe dhunën online ndaj grave.
Sipas ambasadorit britanik, të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se pas përfundimit të zgjedhjeve, Kosova duhet të procedojë sa më shpejt me zgjedhjen e Presidentit të vendit.
Deklaratat e tij u publikuan përmes një postimi në rrjetet sociale pas takimit.




