Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur se po punohet intensivisht për finalizimin e Ligjit për Tregtinë e Brendshme, me qëllim forcimin e pozitës së produkteve vendore në treg.
Ajo tha se me rastin e Ditës Botërore të Qumështit ka marrë pjesë në një mini-panair në Gjakovë, ku janë promovuar produktet vendore dhe puna e fermerëve e përpunuesve kosovarë.
Sipas saj, po përgatitet edhe Ligji për Pagesat e Vonuara në Transaksionet Tregtare, si dhe janë lansuar skema të reja grantesh për mbështetjen e prodhuesve vendorë, përfshirë gratë ndërmarrëse dhe fermere.
Kusari-Lila theksoi se mbrojtja e konsumatorit mbetet prioritet, ndërsa industria e qumështit vazhdon të konsiderohet një nga shtyllat kryesore të ekonomisë vendore.




