Një rast i rëndë është raportuar pasditen e djeshme në Klinë, ku një person dyshohet për tentim-vrasje pas një incidenti në komunikacion.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, i dyshuari, duke drejtuar një veturë me targa lokale, dyshohet se ka goditur një motoçikletë në të cilën ndodheshin dy persona.
Si pasojë e përplasjes, dy personat në motoçikletë kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë marrë trajtim mjekësor.
Policia ka bërë të ditur se i dyshuari është arrestuar dhe, pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Prokuroria ka urdhëruar inicimin e rastit dhe vazhdimin e hetimeve për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit.




