Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se javën e ardhshme pritet të nisin pagesat për punëtorët e sektorit privat, në kuadër të Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0.
Sipas tij, komisioni vlerësues që po shqyrton aplikimet për këtë masë është në fazën përfundimtare të punës dhe ekzekutimi i pagesave pritet të fillojë të hënën.
Ndërkohë, për masën që përfshin studentët, Murati ka thënë se procesi do të përfundojë pasi të merren konfirmimet e nevojshme nga institucionet e arsimit të lartë për aplikuesit.
Ai shtoi se qytetarët do të njoftohen me kohë sapo listat për pagesa të jenë gati për ekzekutim. Pakoja për Përballje me Inflacionin 2.0 synon të mbështesë kategori të ndryshme të qytetarëve për të zbutur ndikimin e rritjes së kostos së jetesës.




