Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka reaguar ndaj qasjeve politike që, sipas saj, anashkalojnë partneritetin strategjik të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka theksuar se Kosova është ndërtuar dhe forcuar me mbështetjen amerikane, duke vlerësuar se vendimet e rëndësishme politike dhe ekonomike duhet të jenë në koordinim me SHBA-në.
Sipas AKB-së, kundërshtimi i investimeve amerikane dhe projekteve që lidhen me sigurinë energjetike nuk i shërben zhvillimit ekonomik dhe integrimit euroatlantik të vendit. Shahini ka deklaruar se projektet amerikane, përfshirë ato në sektorin e energjisë, janë të rëndësishme për të ardhmen ekonomike të Kosovës.
AKB u ka bërë thirrje partive politike që të vendosin interesin shtetëror mbi interesat partiake dhe të forcojnë bashkëpunimin me aleatët strategjikë të vendit.




