Ish-ministrja Meliza Haradinaj ka deklaruar se Kosova po bën një gabim strategjik duke refuzuar projektin e gazit amerikan, i cili sipas saj do të ketë pasoja afatgjata për vendin.
Ajo ka thënë se debati për gazin nuk është thjesht çështje energjetike, por lidhet me orientimin strategjik dhe sigurinë kombëtare të Kosovës.
Sipas Haradinajt, vendimmarrja në këtë rast duhet të bazohet në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat ajo i cilëson si aleatin më të rëndësishëm të Kosovës.
Ajo theksoi se energjia në kontekstin gjeopolitik është instrument i sigurisë dhe politikës së jashtme, duke shtuar se projektet e mbështetura nga SHBA duhet të trajtohen si pjesë e arkitekturës strategjike perëndimore.
Haradinaj vlerësoi se Kosova, si shtet i vogël dhe me sfida sigurie, duhet të forcojë partneritetin me SHBA-në dhe të mos humbasë mundësi që, sipas saj, kanë rëndësi afatgjatë për stabilitetin dhe zhvillimin e vendit.




