Dhuna ndaj fëmijëve vazhdon të mbetet një shqetësim serioz, ndërsa raportimi i rasteve shpesh paraqet vështirësi. Për këtë arsye është lansuar një projekt që synon krijimin e një platforme digjitale për raportim të sigurt, me qëllim identifikimin më të shpejtë të rasteve dhe reagimin e institucioneve përgjegjëse.
Projekti parasheh zhvillimin e një aplikacioni që do t’u mundësojë fëmijëve dhe dëshmitarëve raportimin e rasteve të dhunës dhe shkeljeve të të drejtave të fëmijëve në mënyrë të sigurt.
Sipas Pajtim Zeqirit nga “Terre des Hommes” Kosovë, teknologjia duhet të shërbejë si mjet për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, e jo si qëllim në vetvete.
Ndërsa Habit Hajredini nga Zyra për Qeverisje të Mirë në Zyrën e Kryeministrit tha se projekti do të ndihmojë në pilotimin e një mekanizmi më efikas për raportimin dhe trajtimin e rasteve që prekin fëmijët.
Po ashtu u theksua rëndësia e sigurisë së fëmijëve edhe në hapësirën digjitale, përfshirë mbrojtjen nga krimet kibernetike dhe keqbërësit online.
Në lansim morën pjesë përfaqësues të institucioneve, shoqërisë civile dhe Bashkimit Evropian.




