Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka deklaruar se projektet amerikane në Kosovë, përfshirë edhe iniciativën e fundit për gazin amerikan, duhet të shihen në dritën e mbështetjes historike të Shteteve të Bashkuara për Kosovën gjatë luftës, pavarësisë dhe ndërtimit të shtetit.
Sipas tij, investimet amerikane janë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe sigurinë e vendit, dhe nuk duhet të refuzohen.
“Nuk mund ta mendojmë zhvillimin ekonomik dhe sigurinë e vendit pa mbështetjen amerikane. Investimet e tilla janë edhe garanci për stabilitet,” ka thënë Shahini.
Ai ka shtuar se projekti i gazit amerikan është strategjik, pasi do të ndikojë në sigurinë energjetike dhe ngrohjen në Kosovë, duke theksuar se vendi ka nevojë për alternativa të reja energjetike.
Shahini ka kritikuar edhe deklaratat kundër këtij projekti, duke thënë se investimet e tilla janë të rëndësishme për stabilitetin institucional dhe ekonomik të Kosovës.




