Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me burgim me kusht dhe ndalim të përdorimit të Facebook-ut një person që kishte kërcënuar gazetarin e “Koha”, Ardit Kika.
Sipas juristes së medias Flutura Kusari, kërcënimi ishte bërë përmes një komenti në Facebook më 22 janar 2026, ndërsa gjykata e ka marrë vendimin rreth gjashtë muaj më vonë.
I dënuari ka pranuar fajin dhe ka deklaruar se veprimi i tij lidhej me probleme familjare. Gjykata i ka shqiptuar dënim me katër muaj burgim me kusht dhe ndalim përdorimi të rrjetit social për gjashtë muaj.
Kusari e ka cilësuar vendimin si hap pozitiv për mbrojtjen e gazetarëve dhe ka apeluar që qytetarët të mos i drejtojnë kërcënime mediave, duke theksuar se raste të tilla do të përfundojnë me pasoja ligjore.




