Shtetet e Bashkuara kanë kryer sulme të reja ndaj disa objektivave ushtarake në Iran, pasi një dron goditi një anije tregtare me flamur të Panamasë në Ngushticën e Hormuzit.
Komanda Qendrore Amerikane (Centcom) njoftoi se sulmet janë ndërmarrë në përgjigje të “agresionit të vazhdueshëm” ndaj transportit tregtar detar. Sipas saj, Irani ka shkelur armëpushimin pasi droni goditi cisternën MT Kiku, duke detyruar SHBA-në të reagojë ushtarakisht.
Centcom bëri të ditur se janë goditur 10 objektiva ushtarake iraniane, përfshirë sisteme të mbrojtjes ajrore, pajisje ushtarake, sisteme komunikimi dhe depo dronësh.
Në kundërpërgjigje, Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) njoftoi se ka lëshuar raketa dhe dronë ndaj infrastrukturës amerikane në Kuvajt dhe Bahrein. Teherani pretendon se ka goditur disa baza amerikane dhe ka shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Pas shkëmbimit të sulmeve, të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit, duke rritur më tej tensionet në rajon, raportojnë mediat ndërkombëtare.




