Analisti Ylli Hoxha ka vlerësuar se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, po përballet me një krizë të brendshme në parti, e cila sipas tij ishte paralajmëruar që nga kuvendi i fundit zgjedhor.
Në “Debat Plus”, Hoxha tha se pakënaqësitë ndaj udhëheqjes së Abdixhikut janë shfaqur fillimisht nga Hykmete Bajrami dhe Avdullah Hoti, ndërsa më pas kanë gjetur mbështetje edhe në disa degë të rëndësishme të partisë.
Megjithatë, ai theksoi se debatet e brendshme nuk i sheh si dobësi, por si një veçori pozitive të LDK-së, e cila sipas tij ka arritur të ruajë kohezionin edhe gjatë krizave të mëhershme.
Hoxha vlerësoi se grupi kundërshtues ndaj Abdixhikut është forcuar, por nuk ka ofruar ende një alternativë të qartë për drejtimin e partisë.
Ai apeloi që palët të shmangin ndarjet dhe të gjejnë një marrëveshje, duke theksuar se as Abdixhiku nuk duhet t’i humbë Bajramin e Hotin, e as ata kryetarin e partisë.




