E ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, ka deklaruar se mundësitë për bashkëpunim ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara janë të pakufishme, veçanërisht në fushat e mbrojtjes, tregtisë, investimeve ekonomike dhe energjisë.
Duke folur në ceremoninë e organizuar për 250-vjetorin e Pavarësisë së SHBA-së, Prattipati tha se bizneset amerikane janë në kërkim të partnerëve të besueshëm, fuqisë punëtore dhe tregjeve konkurruese, duke vlerësuar se Kosova ka potencial për t’i ofruar të gjitha këto.
Ajo theksoi se SHBA-ja synon ta thellojë partneritetin me Kosovën, duke shtuar se një Kosovë e qëndrueshme dhe prosperuese është në interes jo vetëm të qytetarëve të saj, por edhe të Evropës dhe botës.
Prattipati vlerësoi gjithashtu mbështetjen e Kosovës ndaj prioriteteve amerikane dhe ritheksoi përkushtimin e SHBA-së për të ndihmuar në forcimin e institucioneve, zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve në vend.
Në të njëjtën ngjarje, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, shprehu mirënjohjen për rolin e SHBA-së në çlirimin dhe shtetndërtimin e Kosovës, duke e cilësuar partneritetin ndërmjet dy vendeve si jetik për të ardhmen e vendit.




