Profesori i Johns Hopkins University, Daniel Serwer, ka deklaruar se marrëdhëniet mes popullit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës vazhdojnë të jenë jashtëzakonisht të mira.
Duke folur në emisionin “Politiko” në Kanal10, Serwer tha se nuk preferon të komentojë në detaje raportet ndërmjet qeverive, por theksoi se administrata aktuale amerikane është e ndryshme nga ato që kanë vepruar në të kaluarën.
Sipas tij, qeveria e SHBA-së sot nuk është e njëjtë me administratat e mëparshme, përfshirë ato që kishin rol në ndërhyrjen e vitit 1999, ndërsa edhe rrethanat ndërkombëtare kanë ndryshuar ndjeshëm.
Serwer vlerësoi se, pavarësisht ndryshimeve politike dhe institucionale, lidhjet mes qytetarëve të Kosovës dhe atyre të Shteteve të Bashkuara mbeten të forta dhe miqësore.




