Kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku, ka reaguar pas dorëheqjes së gazetares së RTK, Arlinda Sejda, e cila ka deklaruar se është larguar nga puna për shkak të presioneve.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lushtaku e cilësoi dorëheqjen e saj si një alarm serioz për lirinë e medias në Kosovë, duke akuzuar pushtetin për ndërhyrje politike në punën e gazetarëve dhe shndërrimin e televizionit publik në mekanizëm propagande.
Ai përmendi edhe një rast që, sipas tij, lidhet me pretendimet e gazetares, duke thënë se ishte kërkuar të inskenohej një video e rreme për një ngjarje të ndodhur në Skenderaj, me qëllim krijimin e një perceptimi të gabuar në opinion publik.
Lushtaku ngriti akuza edhe për presione ndaj zyrtarëve dhe gazetarëve, duke theksuar se liria e medias është themel i demokracisë dhe se çdo ndërhyrje në raportimin e lirë përbën sulm ndaj së vërtetës.
Në fund, ai shprehu solidaritet me Arlinda Sejdën dhe me të gjithë gazetarët që, sipas tij, përballen me presione politike, duke shtuar se e vërteta dhe liria e fjalës nuk mund të zëvendësohen me frikë apo presion.




