Shëndeti i syve te fëmijët kërkon kujdes të veçantë që në muajt e parë të jetës, pasi zhvillimi i shikimit vazhdon deri në moshën 10-vjeçare. Ekspertët theksojnë se kontrollet e rregullta te okulisti dhe kujdesi i vazhdueshëm janë thelbësore për zbulimin dhe trajtimin e hershëm të problemeve të mundshme.
Tek foshnjat, rekomandohet shmangia e ndriçimit të fortë dhe mbajtja e pajisjeve elektronike larg fëmijës. Ndërsa me rritjen e tyre, aktivitetet në natyrë dhe stimulimi i shikimit përmes lodrave të përshtatshme ndihmojnë në zhvillimin normal të syve.
Një rol të rëndësishëm luan edhe ushqyerja. Ushqimet e pasura me antioksidantë dhe vitamina, si perimet me gjethe jeshile, vezët, agrumet, frutat e pyllit dhe bajamet, kontribuojnë në mbrojtjen e shikimit dhe zvogëlojnë rrezikun e sëmundjeve të syve.
Mjekët këshillojnë prindërit të kufizojnë ekspozimin e fëmijëve ndaj ekraneve dhe të sigurojnë kontrolle të rregullta të shikimit, veçanërisht gjatë viteve të para të zhvillimit.




