Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka reaguar pas mbylljes së qumështores “Vita”, duke e cilësuar vendimin si goditje të rëndë për ekonominë e vendit dhe klimën e të bërit biznes.
Kryetari i LBK-së, Besart Dreshaj, tha se “Vita” është një nga prodhuesit e rëndësishëm vendorë që, sipas tij, i plotëson standardet dhe posedon certifikatat e nevojshme për operim.
Ai theksoi se mbyllja e saj rrezikon qindra vende pune, si dhe dëmton fermerët dhe gjithë zinxhirin e furnizimit në sektorin e qumështit.
Sipas Dreshajt, vendime të tilla ndikojnë negativisht në besimin e investitorëve dhe e dobësojnë prodhimin vendor, duke favorizuar importet në vend të mbështetjes së prodhuesve lokalë.
Ai u bëri thirrje institucioneve që të veprojnë me përgjegjësi dhe në mënyrë të paanshme, duke theksuar se bizneset nuk duhet të jenë objekt i vendimeve politike, por të mbrohen në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit.




