Mbi 1200 fermerë kanë aplikuar për skemën e granteve për investime në bujqësi, në kuadër të projektit për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit rural në Kosovë. Nga ta, 643 janë përzgjedhur fitues në tri LOT-et e programit.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti theksoi rëndësinë e bujqësisë si shtyllë e zhvillimit ekonomik dhe sigurisë ushqimore, duke e cilësuar investimin në fermerë si investim në rritjen e prodhimit vendor dhe uljen e varësisë nga importi.
Sipas tij, bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë ka ndihmuar në forcimin e sektorit bujqësor, ndërsa pjesëmarrja e shtetit në bashkëfinancim përbën hap të rëndësishëm në zhvillimin rural.
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, tha se procesi i përzgjedhjes ka qenë transparent dhe konkurrues, ku grantet deri në 5,000 euro do të mbështesin sektorë si agroturizmi, bletaria, përpunimi i produkteve dhe aktivitete të tjera rurale.
Programi përfshin përfitues nga të gjitha komunat, me pjesëmarrje të lartë të grave dhe të rinjve, duke synuar zhvillim gjithëpërfshirës ekonomik në zonat rurale./EO/




